Dhe këto bllokime, ashtu si në të gjitha rastet e tjera të cituara më lart, do të formulohen dhe prezantohen si “standarde evropiane”, të cilave duhet t’u përmbahet Kosova. Nëse Serbia dhe Shqipëria do t’i bashkohen BE-së njëkohësisht, atëherë Shqipëria mund të kompensojë bllokimet e Serbisë ndaj Kosovës me kundër-veton e saj

Nga Hamza Karcic
www.bota.al

Më 17 nëntor 2020, Bullgaria bllokoi çeljen e bisedimeve të pranimit të Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian. Ministrja e Jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva, u citua të thoshte se vendi i saj nuk mund t`a mbështesë hapjen e negociatave me fqinjin e saj.

Ky është bllokimi i tretë, me të cilin përballet vendi ballkanik pas atyre të vendosura më parë nga Greqia dhe Franca. Vetoja e fundit, justifikohet me pikëpamjet bullgare mbi gjuhën maqedonase. Sado shqetësuese që është, vetoja bullgare nuk është një dukuri e veçuar.

Në fakt, kjo ndjek traditën e vendeve ballkanike që janë anëtarësuar vitet e fundit në BE, dhe që kanë bllokuar vazhdimisht bisedimet e pranimit me fqinjët e tyre që aspirojnë t’i bashkohen unionit.

Në vitin 2009, Sllovenia bllokoi negociatat e anëtarësimit të Kroacisë në BE. Arsyeja ishin mosmarrëveshjet midis këtyre dy republikave ish-Jugosllave, rreth mënyrës së caktimit të kufirit mbi Gjirin e Piranit. Në vitin 2016, ishte Serbia ajo që e akuzoi Kroacinë për bllokimin e bisedimeve të saj të pranimit në BE.

Raportet mediatike treguan se Kroacia, kishte bllokuar çeljen e një kapitulli të ri në bisedimet Beograd-Bruksel, për shkak të statusit të pakicës kroate në Serbi. Koncepti që dikur dukej i besueshëm, sipas të cilit zgjerimi i BE-së do të sjellë evropianizimin e vendeve të reja anëtare, dhe do ketë një efekt përhapës edhe në vendet përreth.

Por kthesa jo-liberale në shumë shtete anëtare, që i janë bashkuar BE-së që nga viti 2004, tregon se evropianizimi është në fakt një proces i kthyeshëm. Politikat penguese, të ndjekura nga anëtarët e rinj të BE-së kundër fqinjëve të tyre, kanë minuar idenë e përhapjes së evropianizimit, që ishte në modë deri kohët e fundit.

Qasja “blloko fqinjin tani që e ke këtë mundësi”, përfaqëson haptazi jo vetëm premtimin e rremë të efektit rajonal të përhapjes së evropianizimit, por edhe trajtimin gjithnjë e më të padrejtë të pjesës tjetër të vendeve të Ballkanit. Vendet e reja anëtare të BE-së, po e përdorin anëtarësimin e tyre në klubin evropian, për të përftuar lëshime nga fqinjët e tyre që presin të anëtarësohen një ditë.

Dhe kjo sjellje nuk është një përjashtim, por një model që përsëritet në mënyrë të vazhdueshme. Një rasti i tillë është Bosnja, dhe madje edhe para se vendit t’i jepej statusi i kandidatit për t’u futur në BE. Sapo vendi u anëtarësua në BE në vitin 2013, udhëheqësit politikë të Kroacisë, nisën të ndjekin një qasje tërësisht paternaliste të pajustifikuar dhe të pabazuar ndaj Bosnjës.

Ndërhyrja e plotë në politikën e brendshme të Bosnjës, varion nga favorizimi i një pale të caktuar në zgjedhje, deri tek përpjekjet për të ndërhyrë në ligjet e vendit. Rasti i marrëdhënieve Kroaci-Bosnjë që nga viti 2013, tregon se shteti i fundit anëtar i BE-së, i paketon interesat e tij kombëtarë dhe nacionaliste, dhe synon t’i imponojë ato si “vlera evropiane”.

Duke marrë përsipër rolin e kujdestarëve të “vlerave evropiane”, udhëheqësit politikë të Kroacisë janë përpjekur ta shfrytëzojnë në maksimum anëtarësimin e tyre në BE. Dhe kjo qasje është ndjekur si nga nacionalistët ashtu edhe nga socialdemokratët.

Përpjekja për të luajtur “evropianin” në Bosnjë, u ndërmor për pak kohë edhe nga partia nacionaliste kroate HDZ. Për disa kohë ajo u përpoq t`a shfaqte veten si një kujdestare e “vlerave evropiane”, duke marrë shkas nga politikanët e tjerë kroatë, por shumëshpejt u pa se ishte jo bindëse, dhe hoqi dorë nga kjo qasje.

Tani që Kroacia është anëtare e BE-së, dhe që Serbia është shumë përpara Bosnjës me 18 kapituj të hapur, supozimi është se Serbia do t’i bashkohet BE-së përpara Bosnjës. Dhe nëse do të ndodhë kjo, edhe Beogradi do të përdorte pozicionin e saj të ri kundër Bosnjës, ashtu siç e përdori Sllovenia kundër Kroacisë.

Me Kroacinë dhe Serbinë në Bashkimin Evropian, Bosnja do të mbetej peng i dy fqinjëve, që do të përdornin secili vetot. Për më tepër, kroatët e Bosnjes, kanë tashmë të drejtë të mbajnë një pasaportë kroate (Kroacia është anëtare e BE-së), dhe gjithashtu dhe një sërë përfitimesh të tjera.

Serbët e Bosnjës kanë gjasa të gëzojnë përfitime të ngjashme nëse Serbia anëtarësohet në BE. Në Bosnjë, janë politikanët nacionalistë serbë dhe kroatë të Bosnjës, ata që janë kthyer në pengesën kryesore në rrugën e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Ky model bllokimesh, mund të zbatohet përtej Bosnjës. Serbia, që i ka nisur bisedimet e saj të pranimit në BE që në vitin 2014, është shumë përpara Kosovës në rrugën e anëtarësimit në union. Nëse normalizimi i marrëdhënieve Beograd-Prishtinë nuk ndodh para pranimit në union të Serbisë, kjo do të thotë se Serbia mund t`a përdorë anëtarësimin e saj në BE për të krijuar pengesa në rrugën e Kosovës.

Dhe këto bllokime, ashtu si në të gjitha rastet e tjera të cituara më lart, do të formulohen dhe prezantohen si “standarde evropiane”, të cilave duhet t’u përmbahet Kosova. Nëse Serbia dhe Shqipëria do t’i bashkohen BE-së njëkohësisht, atëherë Shqipëria mund të kompensojë bllokimet e Serbisë ndaj Kosovës me kundër-veton e saj.

Sidoqoftë, aleatja e Kosovës, Shqipëria, ka mbetur prapa Serbisë në negociatat me BE-në. Shqipëria është një vend kandidat, me të cilin BE-ja vendosi të hapë negociatat e pranimit vetëm vitin e shkuar. Kjo do të thotë se me pranimin e Serbisë në BE përpara Shqipërisë, Serbia do të ishte në pozitën për të luajtur lojën e vetos.

Ajo që tregon kjo histori e përmbledhur e bllokimeve deri më tani, është se vetot nuk janë një shmangie nga norma, por një praktikë e ngulitur në rajon. Anëtarësimi në BE ka shërbyer si një levë për t`a detyruar fqinjin të bëjë gjëra që përndryshe nuk do t’i bënte, dhe mbi të gjitha, për t’i portretizuar si “vlera evropiane”interesat nacionaliste të një vendi.

E kombinuar me rritjen e politikës së ekstremit të djathtë, dhe kthesën jo-liberale tek anëtarët më të rinj në BE, vetot kundër aspirantëve për t’u futur në union, nuk frymëzojnë ndonjë besim.

Pasoja politike e kësaj tendence, është se në vend që të punojnë vetëm për të përmirësuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, aspirantët për anëtarësim në BE do të këshillohen të ndërtojnë lidhje më të forta me kryeqytetet kryesore kombëtare, veçanërisht me Berlinin, me qëllim që të kompensojnë barrierat e pritshme që i presin.

Shënim: Hamza Karcic, është profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, Bosnje Hercegovinë. /  “Anadolu Agency” /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *