Forcat e KFOR-it do të rrisin prezencën në Kosovë nëse një gjë e tillë është e nevojshme, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i Nato-s, Jens Stoltenberg.

“Nëse ka nevojë, ne do të lëvizim forcat dhe do të rrisim prezencën tonë. Tashmë kemi rritur prezencën në veri. Ne do të veprojmë kur ka nevojë, dhe në mënyrë proporcionale”, deklaroi të mërkurën Stoltenberg.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimeve të ndara që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

I pyetur se çfarë nënkupton paralajmërimi për intervenim të NATO-s, Stoltenberg ka thënë se KFOR-i është në kontakt të ngushtë me autoritetet në Beograd dhe Prishtinë, transmeton REL.

Shefi i NATO-s ka thënë se neutraliteti i KFOR-it është i rëndësishëm dhe se “Kosova ka mundësi të demonstrojë se është aktore e përgjegjshme brenda komunitetit euroatlantik”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *