Mësimi online po konsiderohet jo i efektshëm nga studentët të cilët po kërkojnë rifillimin e ligjëratave në klasët e fakulteteve.
Përmes një peticioni online, studentët e Universitetit të Prishtinës po kërkojnë që nga muaji shkurt, kur nis semestri i dytë, të rikthehen në fakultete.
“Me nënshkrimin e këtij peticioni ne si individë deklarojmë se dëshirojmë rifillimin e mësimit fizik në Universitet dhe kërkojmë nga organet kompetente që në të njëjtën formë siç janë organizuar kushtet për lehtësimin e masave për shtresat e tjera të shoqërisë, të organizohen edhe për studentët”, thuhet në peticion, transmeton Koha.net.
Nënkryetari i Parlamentit Studentor, Fatlind Azizi, ka deklaruar se kanë pranuar kërkesa të shumta të studentëve që nga muaji tjetër ligjëratat t’i mbajnë në fakultete.
Që nga marsi i kaluar, kur nisi pandemia, institucionet e arsimit të lartë ligjëratat i kanë mbajtur online.