Bashkimi Evropian ka “vija të kuqe” në ndërmjetësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Gjatë Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, Lajçak tha se procesi i dialogut synon normalizimin e marrëdhënieve dhe kjo “të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, të jetë i pranueshëm për anëtarët e BE-së dhe ta qetësojë situatën në rajon”.

Siç transmeton Radio Evropa e Lirë, diplomati sllovak tha se BE-ja e mirëpret ndihmën në dialog nga ndonjë palë e tretë, përfshirë SHBA-në. Lajçak tha se kolegët amerikanë e kanë informuar për takimin e ardhshëm në Uashington të Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

“Nuk jemi këshilluar për datën ose përmbajtjen e takimit, por vetëm jemi informuar se takimi do të mbahet dhe se do të jetë i një natyre strikte ekonomike. Nuk do të jetë pjesë e procesit, por vetëm një takim dhe nuk kam asnjë arsye të dyshoj për këtë”, është shprehur Lajçak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *