Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk është në kontakt me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe se nuk ka vullnet të bëhet pjesë e bisedimeve kur ato të drejtohen nga diplomati sllovak.
“Personalisht unë si president i vendit do t’i përgjigjem çdo ftese në veçanti sa i përket samiteve nga presidenti (Emmanuel) Macron apo kancelaria (Angela) Merkel, por nuk e kam vullnetin që të participojë në procesin e negociatave që udhëhiqet nga Lajçak,” ka thënë Thaçi, transmeton Zëri i Amerikës.
Presidenti Thaçi, tha se pa rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara nuk mund të zgjidhen çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Unë kam besim të plotë në lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se këtë proces do ta dinamizojnë dhe përmbyllin suksesshëm, siç kanë përmbyllur suksesshëm të gjitha çështjet që kanë qenë të hapura në Ballkanin Perëndimor tash e tri dekada. Do të thotë pa rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara, nuk ka faktor që mund t’i lëvizë këto gjëra, në veçanti çështjet shumë të rëndësishme, delikate dhe të vështira që janë në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.”
Lexo më shumë këtu