Në Gjermani janë 103,375 raste të infektuar me koronavirus deri më tani. Janë shëruar 25,280, derisa kanë vdekur 1,810 persona.

Ndërkohë, në vende tjera evropiane, si në Itali dhe Spanjë, e më pas në Shtetet e Bashkuara, pasojat nga koronavirusi janë shumëherë më të mëdha.

Për këtë dallim, ekspertët japin mendime të ndryshme, por shumë pajtohen se është mënyra e autoriteteve gjermane, si po përballen me pandeminë, ajo që ka ndikuar që pasojat në njerëz të jenë më të ulëta.

Mjeku pneumolog, Gani Oruqaj, i cili punon në Hessen, ka shpjeguar mënyrën se si Gjermania po mundohet të mbajë nën kontroll pandeminë e koronavirusit.

Siç transmeton Gazeta Shqip, ai veçoi 3 elementë, të cilët sipas tij, mund të kenë një ndikim në shifrat gjermane krahasuar me shtetet e tjera.

“Në Itali, mund të ketë numër më të madh të të prekurve, të cilët nuk janë testuar. Faktori i dytë, grupi i testimeve. Moshat e reja përhapin virusin dhe duhen testuar, ashtu siç po e bën Gjermania. Faktori i tretë është sistemi shëndetësor. Ai gjerman është më i përgatitur, me një numër më të madh shtretërish”.

Sa i përket medikamenteve të përdorura, ai theksoi se nuk ka terapi antivirale, por terapi suportive, e cila është e vërtetuar edhe shkencërisht për trajtimin e shokut septik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *