Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vlerësuar lartë nënshkrimin e zotimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington.
Përmes një citimi të shpërndarë në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit, zotimet e nënshkruara nga Presidenti i Sebisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti vlerësohen si shumë të guximshme nga Trump.
“Është dashur guxim i jashtëzakonshëm nga Presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Hoti për të nisur këto bisedime dhe për të ardhur në Washington për ta finalizuar këtë angazhim”, citohet Trump. “Duke vepruar kështu, ata i kanë bërë vendet e tyre, Ballkanin dhe botën më të sigurt. Është vërtetë ditë historike. Kosova dhe Serbia janë pajtuar për normalizim ekonomik”.
Më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e Presidentit Trump u nënshkruan nga Vuçiq dhe Hoti zotime për normalizimin e ekonomisë ndërmjet dy vendeve, por asnjë nga pikat nuk fliste për njohje reciproke mes dy shteteve.