Ka vdekur në moshën 64 vjeçare DJ-i spanjoll José Padilla i njohur si një nga pionerët e zhanrit chillout.
Në faqen e tij në Facebook u dha lajmi se Padilla ka ndërruar jetë gjatë mbrëmjes së dielë derisa ishte në gjumë në ishullin Ibiza. Ai kishte vuajtur nga kanceri në zorrë.
Padilla lindi në Girona më 1955 dhe u shpërngul në Ibiza më 1976. Ai kishte filluar të lëshoj muzikë nëpër kafiteritë e ishullit, derisa ishte bërë resident si DJ në barin Café del Mar në San Antonio që më pas u bë i famshëm për muzikën relaksuese në periudhat e perëndimit të diellit.
Më 1993, Padilla krijoi seritë e kompilacionit Café del Mar të cilat u bënë shumë të famshme, duke i ofruar dëgjuesve muzikë për mëngjeset me lindjen e diellit pas netëve të furishme nëpër klubet e ishullit.