Hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka marrë një shtysë pozitive.
Siç raporton Koha.net, vendet anëtare të BE-së janë pajtuar të merret vendimi hapjen e negociatave dhe kjo do të formalizohet nesër në video-konferencën e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së me procedurë të shkruar.
Procedura e miratimit të vendimeve në BE ka pësuar ndryshime të mëdha, si pasojë e krizës së shkaktuar nga koronavirusi, që ka pamundësuar edhe punën normale edhe të institucioneve të BE-së.
Vendimi do të merret në takimin e Ministrave të BE-së ndërsa më vonë ai duhet të marrë pëlqimin edhe të shefave të shteteve apo qeverive në “Këshillin Evropian”. Kështu, edhe pasi ta kalojë procedurën në Këshillin e BE-së, pra në nivel ministrash, ky vendim nuk do të formalizohet shpejt, pasi BE tashmë ka vendosur ta shtyjë për më vonë takimin e “Këshillit Evropian”, të paraparë për këtë javë, transmeton Koha.net.