Shumica e vendeve evropiane kanë nisur relaksimin e masave të izolimit kundër përhapjes së koronavirusit.
Shkollat në Francë do të hapen me një numër të caktuar të nxënësve, derisa ky vend do të rihap edhe dyqanet e rrobave, sallonet e bukurisë, libraritë dhe luleshitësit. Të mbyllura do të qëndrojnë baret, kinematë dhe restorantet.
Në Holandë, shkollat fillore do të rihapen pjesërisht. Në kuadër të bizneseve që do të fillojnë punën janë: fizioterapistët, autoshkollat dhe parukierët.
Në Zvicër, shkollat fillore dhe ato të mesme do të hapen, por klasat do të pranojnë numër më të ulët të nxënësve. Restorantet, libraritë dhe muzetë gjithashtu do të hapen, por me kufizime të caktuara, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Në Danimarkë, qendrat tregtare do të rihapen të hënën ndërsa në Poloni, hotelet mund të rihapen gjatë javës.
Vendet tjera evropiane si Gjermania, Austria dhe Italia tashmë kanë filluar të lehtësojnë kufizimet e tyre.