Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur të padëshiruar dhe i kanë ndaluar hyrjen në vend ish-presidentit dhe ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha.
“Veprimet korruptive të ish-presidentit të Shqipërisë Sali Berisha e kanë minuar demokracinë në Shqipëri. Publikisht, unë e përcaktoj Berishën dhe anëtarët e drejtpërdrejtë të familjes së tij si të papranueshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar Sekretari amerikan Antony Blinken gjatë ditës së mërkurë në Twitter.
Në raportimin rreth këtij lajmi, televizioni shqiptar Top Channel ka transmetuar një qëndrim përmes të cilit e mbështet vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Atë që nuk bënë dot gjykatat shqiptare e bëri departamenti i shtetit me një deklaratë me disa rreshta”, thuhet, ndër të tjera, në videon e transmetuar gjatë edicionit të lajmeve.