Eurodeputetja gjermane Viola von Cramon e ka vlerësuar të gabuar rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.
“Besoj se ishte gabim i madh, që u rrëzua qeveria më 25 mars. Shumë në perëndim e komentuan atëherë kështu, dhe ne të gjithë e kritikuam që nuk është ide e mirë të rrëzosh në kohë pandemie një qeveri, që deri atëherë kishte bërë një punë të mirë e shumë njerëz ishin të kënaqur,” ka thënë Von Cramon për DW.
E pyetur se çfarë pret nga zgjedhjet e parakoshme që pritet të mbahen së shpejti, eurodeputetja gjermane shpreson të krijohet stabilitet në Kosovë.
“Shpresoj që këto zgjedhje të sjellin aq stabilitet, që të mos kemi çdo vit zgjedhje të reja, e që të fillojnë reformat që presin prej një kohe të gjatë; reforma në lidhjen me ligjin zgjedhor, reforma në drejtësi, ajo në lidhje me luftën kundër korrupsionit. Domethënë e gjitha kjo listë me reformat që duhen kryer, kjo është ajo që është emergjente. Kemi nevojë për marrëdhënie të stabilizuara, nuk kemi nevojë për gjendje autoritare si në Serbi, këtë jo, por marrëdhënie, ku njerëzit të kuptojnë, se po qeveriset. Që ata të ndjehen të përfaqësuar në politikën e jashtme dhe ta kuptojnë, se reformat në vend kanë filluar.”
Lexo më shumë këtu