Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar largimin e forcave policore të vendosura të hënën në Jarinjë nga qeveria e Kosovës.
“Ne duam t’i ofrojmë kohë shtesë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse jo, ne do të marrim masa”, tha Vuçiq të martën pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Serbisë.
Të hënën paradite, qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat e makivave nga Serbia. Forca shtesë të Policisë së Kosovës u vendosën në pikën kufitare në Jarinjë.
Pas protestave të qytetarëve serb në veri, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që të dy vendet të ulin tensionet.
Ndërkohë, Vuçiq tha se ka biseduar me ambasadorët e vendeve më të fuqishme perëndimore sesi duhet të duket një “zgjidhje kompromisi”.
“Unë e refuzova atë zgjidhje sepse nuk është një kompromis, por një zgjidhje që do të poshtëronte Serbinë”, tha Vuçiq, transmeton REL.
Qytetarët serbë edhe gjatë të martës kanë vazhduar protestën, duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.