Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është shprehur i kënaqur me marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve.

“Jam i kënaqur me atë që kemi arritur. Kemi reaguar si shtet në mënyrë të mençur dhe të përgjegjshme. Kemi treguar se gjithmonë do të jemi me popullin tonë, dhe kjo është e qartë sot për secilin”, ka thënë Vuçiq gjatë një konference për media në Nish.

Të enjten u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, që parasheh vendosjen e letrave ngjitëse për veturat  me targat serbe që futen në Kosovë dhe ato me targat kosovare që futen në Serbi.

Siç transmeton Novosti, presidenti serb ka thënë se kthimi i forcave të KFOR-it në pikat kufitare garanton sigurinë për popullatën serbe në Kosovë.

Gjithashtu, gjatë konferencës Vuçiq ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për atë që ky i fundit ka thënë se Vuçiq është problemi me të cilin po përballet Kosova.

Vuçiq ka reagur me ironi duke thënë se “askush tjetër nuk mund të më jap një kompliment të tillë” dhe duke theksuar se do të vazhdoj të mbroj interesat serbe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *