Analisti amerikan, Damon Wilson, në një intervistë ekskluzive për INC rrjetin është shprehur për shumë çështje që kanë të bëjnë me procesin e dialogut Prishtinë Beograd. Për dallim nga të tjerët, z. Wilson përshëndet angazhimin e shtuar të Shtëpisë së Bardhë dhe të BE-së sepse siç është shprehur “marrëveshja është dashur të arrihet para një apo edhe para dy viteve, kjo çështje shumë po zgjatet dhe do të shpresoja që në fund të vitit të kemi një marrëveshje finale natyrisht të qëndrueshme në terren por edhe në BE e Uashington”.
Wilson, anëtar i Këshillit Atlantik, institutit që tash e një kohë merret me analizat e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, është shprehur se e kupton dyshimin dhe skepticizmin e kosovarëve ndaj dy përfaqësuesve kryesor evropian që vijnë nga dy shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën:
“Mendoj se do të ishte shumë e dobishme po të kishte pasur një qasje të unifikuar evropiane për këtë përpjekje. Thënë kështu, unë kam pasur mundësi të punoj mjaft ngushtë me Miroslav Lajçak ndër vite dhe kam pasur shumë mundësi të takohem me zotin Borrell”, shprehet analisti Wilson i cili megjithatë vlerëson se “do të doja të shikoja këtë handikap, nëse dëshironi t`a quaja kështu, që këta diplomatë që vijnë nga vendet që nuk e njohin pavarësinë të bëhen një aset duke u bërë zëdhënësit më efektivë për të ndihmuar të bindin vendet anëtare të BE-së që nuk njohin të bashkohen me të tjerat shtete dhe të njohin Kosovën si pjesë e këtij procesi.”
Pasi ka përjashtuar mundësinë që marrëveshja të bazohet në ndarjet etnike, z. Wilson është shprehur edhe kundër përsëritjes së gabimeve me rregullimin e brendshëm jofunksional të Bosnjës:
“Nuk ka asnjë mënyrë që ne duhet të përsërisim disa nga mosfunksionimet që po e mundojnë sot Bosnjën tek Kosova. E kundërta është qëllimi. E vetmja mënyrë me të cilën ne mund të zhbllokojmë potencialin e popullit të Kosovës dhe sinqerisht, gjithashtu të Serbisë, është zgjidhja e mosmarrëveshjeve në një zgjidhje gjithëpërfshirëse ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që lejon që këto vende të ecin përpara me vendosmëri në ndërtimin e të ardhmes së tyre.”
Wilson ka siguruar qytetarët e Kosovës se miqësia dhe përkrahja e SHBA-ve ndaj Kosovës është një politikë afatgjate pa marr parasysh se cila administratë, qoftë ajo republikane apo demokrate, gjendet ne Shtëpinë e Bardhë:
“Unë thjesht do të sugjeroj që secili në Kosovë ta ketë të qartë se interesi dhe angazhimi i Shteteve të Bashkuara
për rajonin dhe Kosovën në veçanti, është i thellë dhe është angazhim dypartiak. Prandaj mos u verboni nga retorika
e ashpër diplomatike ditore dhe mos e harroni faktin se ne jemi një vend i madh me një grup të gjerë aktorësh
vendimmarrës. Kështu që unë i kuptoj disa shqetësime dhe skepticizëm të asaj që luhet dhe ashpërsia e retorikës së
deklaratave në të kaluarën dhe që mund të bëhen në të ardhmen.”
Intervistën e plotë me Damon Wilson, nga instituti amerikan Këshilli Atlantik, mund ta dëgjoni më poshtë si pjesë e serisë së emisioneve Ura, Dialogu Civil realizuar nga INC rrjeti me përkrahjen e fondacionit amerikan NED (Përpjekja Amerikane për Demokraci)