Bashkimi Evropian ka komentuar deklaratën e Josep Borrell pas tensionimit të situatës në Mitrovicën e Veriut gjatë ditës së mërkurë.
Operacioni i Policisë së Kosovës u përcoll me dhunë nga disa protestuesë serbë të cilët sulmuan policinë dhe disa gazetarë që raportuan nga vendi i ngjarjes.
Reagimet ishin të shumta, derisa reagimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, z. Borrell ishte thirrja që të mos ndërmirren veprime të njëanshme.
Ky reagim nxiti kundërreagime në Kosovë që kritikuan qëndrimet e Borrell rreth operacionit të policisë së Kosovës.
Megjithatë, Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, tha se daklarata e Borrell nuk i referohej operacioneve kundër kontrabandës.
“Ajo që tha, veprimet e njëanshme e të pakoordinuara, të marra nga autoritetet, që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Ai nuk po i referohej operacionet apo veprimeve të Policisë për të luftuar korrupsionin apo kontrabandën”, është shprehur Stano, transmeton Koha.net.
Stano deklaroi se problemet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen përmes dialogut, derisa tha se “çdo veprim i njëanshëm duhet evituar”.
“Duam të sigurohemi që problemet që janë në terren, e lidhen me veri të Kosovës e me çështje tjera më të gjera mes Kosovës e Serbisë, duhet të merren në mënyrë të koordinuar e duhet të përdoret dialogu për t’u marrë me këto. Ky ishte në esencë mesazhi i Përfaqësuesit të Lartë,” është shprehur Stano.