Është mbyllur procesi i votimit në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri të mbajtura gjatë ditës së dielë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 18:00, votuan 45.48 për qind e votuesve.

“Askush nuk e di se kush i ka fituar zgjedhjet, duhet të presim 48 orë”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi menjëherë pas mbylljes zyrtare të votimit, transmeton REL.

Ndërkohë, sipas një Exit Polli të realizuar nga Albanian Post, publikuar nga Top Channel, në nivel kombëtar rezulton se PS merr 71 mandate, pra 46.9% kanë votuar për të majtët, 43.5% për PD duke i dhënë 63 mandate ndërsa 6.9% kanë votuar për LSI duke i dhënë vetëm 6 mandate.

Në anën tjetër, sipas burimeve të gazetës Express, Kryeministri Edi Rama dhe Partia e tij Socialiste kanë humbur zgjedhjet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më herët gjatë ditës, tha se janë regjistruar disa incidente, siç është fotografimi i votave apo hapja me vonesë e disa qendrave të votimit, por ka raportuar për incidente serioze.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Sorca në një deklaratë për mediat nga qyteti i Durrësit, i kanë bërë thirrje prokurorëve të Shqipërisë që të hetojnë incidentet e ndodhura gjatë procesit të votimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *