Zoran Zaev ka dhënë dorëheqje nga posti i Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri i deritanishëm maqedonas njoftoi dorëheqjen të dielën në mbrëmje, pas humbjes që partia e tij pësoi në zgjedhjet e fundit lokale.
Zaev gjithashtu njoftoi se dorëhiqet edhe nga detyra e kryetarit të partisë LSDM.
“Përgëzoj kundërshtarët tanë për fitoren në këto zgjedhje. Unë marr përgjegjësinë për këtë humbje politike, përfshirë edhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Jap dorëheqjen si kryeministër dhe kryetar i LSDM-së”, tha Zaev.
“Do të qëndroj ende këtu, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të ndihmuar në riorganizimin e qeverisë së re me një shumicë progresive, e cila ekziston dhe mund të rritet. “Unë si person jam pjesë e LSDM-së dhe mbetem në vijën e parë si anëtar i LSDM-së”, ka shtuar Zaev, transmeton AlsatM.